Lajme

Pogradec, nis shpërndarja e materialeve zgjedhore – Risi pjesëmarrja e grave të dënuara në votim

Në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, në qytetin e Pogradecit ka nisur zyrtarisht procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nr. 70. Sipas kryetarit të këtij komisioni, Mandi Mekolli, procesi ka filluar në orën 09:00 të mëngjesit dhe pritet të përfundojë brenda disa orëve.

Komisionerët e qendrave të votimit janë paraqitur pranë ambienteve të KZAZ-së për të tërhequr materialet që do të shpërndahen në shtatë njësitë administrative të bashkisë Pogradec, duke përgatitur kështu terrenin për ditën e votimit.

Një risi e këtyre zgjedhjeve është përfshirja për herë të parë e grave që vuajnë dënimin në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit në Pojskë. Pas një vendimi të dhënë nga gjykata, ato do të kenë të drejtë të votojnë, duke shënuar një hap përpara në drejtim të garantimit të të drejtave civile edhe për këtë kategori qytetarësh. Vendimi pritet të komunikohet zyrtarisht pranë KZAZ-së për të mundësuar zbatimin në praktikë.

Në të njëjtën kohë, procesi i shpërndarjes së materialeve ka nisur paralelisht edhe në bashkitë Maliq, Devoll dhe Kolonjë. Ndërkohë, në Bashkinë Korçë, KZAZ e Fshatrave ka filluar shpërndarjen, por në KZAZ e qytetit ende nuk është dhënë sinjali për nisjen e procesit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button