Qindra profile nga Azia “sulmojnë” live-n e Edi Ramës në Facebook me komente politike – Lëvizja Bashkë mohon lidhjen

Gjatë transmetimit live të intervistës së kryeministrit Edi Rama në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, në faqen e tij zyrtare në Facebook u vërejt një valë komentesh të pazakonta nga qindra profile të dyshimta, kryesisht me emra vietnamezë dhe nga vende të tjera aziatike.
Komentet, të cilat u shfaqën në mënyrë të përsëritur dhe dukshëm të automatizuara, shpreheshin në favor të kandidatit të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori. “Nëse doni ndryshim dhe jeni me të majtën e vërtetë, votoni numrin 2, Arlind Qori”, shkruante njëri prej tyre, Ngô Thương nga Vietnami – një mesazh që u kopjua e shpërnda nga dhjetëra profile të tjera të ngjashme.
Përveç komenteve politike, mbi 1 mijë reagime me ikonën e zemërimit u regjistruan gjatë transmetimit, shumica nga profile që gjurmojnë në Azi. Kjo situatë ngriti dyshime për përdorimin e “farmave të klikimeve” ose rrjeteve të profileve të rreme për të manipuluar perceptimin publik dhe për të ndikuar në angazhimin online gjatë fushatës zgjedhore.
Lëvizja Bashkë reagoi menjëherë duke mohuar çdo përfshirje në këtë fenomen. “Ne nuk bëjmë gjëra të tilla, aq më pak të paguajmë profile të rreme. Aktivistët tanë komentojnë vetëm me profilet e tyre. Me sa duket kjo është një orvatje e kundërshtarëve tanë për të na përbaltur,” deklaroi për BIRN Arlind Qori.
Nga ana tjetër, as Kryeministria dhe as Partia Socialiste nuk dhanë koment mbi ngjarjen dhe nuk pranuan të përgjigjen nëse një taktikë e tillë ishte përdorur për të rritur trafikun apo për të devijuar vëmendjen e publikut gjatë intervistës live që zgjati mbi një orë.
Një investigim i mëparshëm i BIRN kishte zbuluar praktika të ngjashme të manipulimit të angazhimit në rrjetet sociale në faqen “Team Edi Rama”, e cila, ndonëse me ndjekës të kufizuar, arrinte shifra të larta shikimesh në videot e saj – deri në 1.6 milionë.
Ekspertët e komunikimit vënë në dukje se një sërë faqesh dhe profilesh në Facebook dhe Instagram janë angazhuar së fundmi në atë që ata e cilësojnë si një “fushatë nga palë të treta”, duke shpërndarë përmbajtje elektorale që në shumë raste sulmon kundërshtarët politikë me përmbajtje denigruese, ndërsa formalisht nuk janë të lidhura me partitë politike.
Rasti i fundit hedh dritë mbi sfidat e integritetit të fushatave elektorale në epokën e algoritmeve dhe profileve të rreme, duke e bërë edhe më urgjente nevojën për rregullim të transparencës në komunikimin politik online.