Makina e biznesmenit Fiqiri Pali bllokohet në Dibër, dyshohet për përfshirje në blerje votash për PS

Burime nga Policia e Dibrës konfirmojnë se një operacion i ndërmarrë nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), me urdhër të prokurorit të posaçëm të SPAK-ut, Elvin Gokaj, ka çuar në bllokimin e një automjeti luksoz në pronësi të biznesmenit Fiqiri Pali.
Makina, e cila u ndalua pranë rrethrrotullimit të Maqellarës, po drejtohej nga një tjetër shtetas i cili aktualisht po merret në pyetje në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Dibrës. Sipas të njëjtave burime, brenda automjetit është gjetur një shumë e konsiderueshme parash, e cila është sekuestruar si provë materiale. Në vijim të hetimeve, pritet të vendoset nëse do të merren masa sigurie ndaj drejtuesit të mjetit.
Dyshimet paraprake janë për përfshirje në aktivitete të paligjshme zgjedhore, përmes përdorimit të parave për të ndikuar votuesit në favor të Partisë Socialiste dhe kandidatëve të saj. Po kryhen gjithashtu verifikime për persona të tjerë të përfshirë, veçanërisht në zonën e Maqellarës, ku tradicionalisht ka pasur garë të fortë elektorale mes mazhorancës dhe opozitës.
Ndërkohë, deputeti i opozitës, Xhemal Gjunkshi, deklaroi mbrëmë në një lidhje live për SYRI TV se ka qenë ai që ndaloi automjetin e dyshimtë, bashkë me përfaqësues të opozitës. Ata kërkuan verifikimin e menjëhershëm të mjetit, për të cilin dyshohej se transportonte zarfe me para dhe lista emrash që mund të përdoreshin për manipulim votash.
Ngjarja pritet të ndezë edhe më shumë debatet politike për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe integritetin e procesit elektoral në zonat me ndjeshmëri të lartë politike.