Lajme

PD premton 200 euro në muaj për çdo student pas 11 majit: “Ata janë e ardhmja jonë”

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se Partia Demokratike planifikon të ofrojë një ndihmë financiare mujore prej 200 eurosh për çdo student, duke nisur pas datës 11 maj.

Sipas Xhaferrit, kjo mbështetje synon të lehtësojë barrën ekonomike të të rinjve dhe të krijojë kushte më të mira për studime dhe jetesë. “Nëse ata punojnë, kjo shumë do t’i ndihmojë që të sigurojnë minimumin jetik,” shkruan ai, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes për një kategori që ai e cilëson si “të ardhmen e vendit”.

Në postimin e tij, Xhaferri ka bërë edhe një krahasim me Kosovën, ku studentëve u jepen 100 euro në muaj, një shumë që sipas tij mjafton për të mbuluar tre vakte ushqimi dhe akomodimin. Në këtë kontekst, ai shprehet se Partia Demokratike synon të bëjë më shumë për studentët shqiptarë.

“Ne kemi detyrimin ta mundësojmë këtë për ta, sepse ata janë e ardhmja jonë,” shkruan Xhaferri, duke garantuar se një politikë e tillë do të jetë prioritet i qeverisë së ardhshme të drejtuar nga PD.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button