Lajme
Kryesore

Propaganda e fluturimeve: Avioni i parë ulet në aeroportin e Vlorës, vetëm dy ditë para zgjedhjeve

Ashtu si në Kukës, edhe në aeroportin e Vlorës, ndërtuar nga kompania e mikut të kryeministrit Rama, u ul sot avioni i parë. Kjo ngjarje ndodh vetëm dy ditë para mbylljes së fushatës për zgjedhjet e 11 majit, dhe shihet nga kritikët si një përpjekje për të fituar pikë elektorale në momentin e fundit.

Aeroporti, i cili ka qenë subjekt kundërshtimesh nga banorët dhe ambientalistët, u përurua me bujë propagandistike, ndërsa Rama, në stilin e njohur të fushatave, përpiqet të shpërqendrojë qytetarët me premtime të mëdha dhe fluturime simbolike. Gjatë fjalës së tij, ai ngatërroi qytetet, duke folur për Kukësin në vend që të fokusohej te Vlora.

Kryeministri pranoi për herë të parë problemet e aeroportit të Kukësit, duke e konsideruar si një projekt të dështuar në aspektin operacional. Për të justifikuar vonesat, ai prezantoi një “surprizë” të re – një kompani shqiptare që do të operojë nga Kukësi nën emrin “Air Kosova”. Me vete, Rama solli edhe një certifikatë, duke u përpjekur të mbrojë idenë se gjithçka është reale dhe jo një tjetër premtim bosh.

Sipas analistëve, ngjarje të tilla në prag zgjedhjesh nuk janë të rastësishme. Ato synojnë të prodhojnë emocione dhe imazhe pozitive, për të mbuluar mungesën e rezultateve konkrete. Aeroporti i Kukësit është një shembull i qartë: premtime për mijëra vende pune që nuk u mbajtën kurrë, fluturime që nuk u bënë, dhe një projekt që shumëkush e quan të dështuar.

A do të ndjekë aeroporti i Vlorës të njëjtin fat? Kjo mbetet për t’u parë pas 11 majit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button