Lajme

Floria Binaj parodizon Kryeministrin Edi Rama

Aktori Floria Binaj ka parodizuar Kryeministrin Edi Rama në një episod të publikuar në rrjetet sociale të emisionit “Piranjat” në Syri TV, duke përdorur një stil të ngjashëm me fjalimet dhe premtimet e tij gjatë fushatave elektorale.

Në një skenë të veçantë, Binaj shfaqet i ulur mes një tufëje delesh, duke i drejtuar ato me fraza që tingëllojnë si premtime politike të Kryeministrit Rama. “Ku jeni patronazhista! Hajdeni, afrohuni, mos kini turp. Unë ju premtoj se në mandatin e katërt do t’ju japim bonus për pensionin, dhe do të bëni 30 litra qumësht në ditë. Gjithashtu, do të keni trajtim në parukieri çdo javë për leshin tuaj. Ju që jeni brune do t’ju bëjmë bionde, dhe ju që jeni bionde do t’ju bëjmë brune. Hajde këtu, bionde, mos ma kthe bythën mua kur flas, do të rrini drejt! Ejani me ne dhe do hyni në BEEEE!”, thotë Binaj, duke parodizuar një nga stilistikat e fushatës së Kryeministrit.

Në fund të videos, aktori përmend “vëzhguesit ndërkombëtarë”, një referencë që duket të nënkuptojë reagimet e ndërkombëtarëve ndaj procesit zgjedhor në Shqipëri. Ky segment ka tërhequr vëmendjen për mënyrën se si fjalimet dhe premtimet politike mund të përdoren për të manipuluar opinionin publik dhe për të siguruar mbështetje gjatë periudhave zgjedhore.

Parodia e Binajt vjen si një pasqyrë e ironisë ndaj fushatës elektorale dhe përdorimit të patronazhistëve si mjete për të fituar mbështetje politike në Shqipëri.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button