Qeveria miraton mbrojtje të veçantë për punonjësit e kërcënuar të AMP-së

Qeveria ka miratuar një vendim të rëndësishëm për garantimin e sigurisë së punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), të cilëve u kërcënohet jeta, familja apo prona gjatë ushtrimit të detyrës. Vendimi i miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave parashikon masa të posaçme mbrojtëse për këta punonjës.
Sipas vendimit, çdo punonjës i AMP-së që përballet me kërcënime serioze për shkak të detyrës, ka të drejtë të përfitojë mbrojtje të veçantë, përfshirë ruajtjen apo shoqërimin fizik të tij, të familjarëve apo të pronës së tij. Kjo masë vjen si përgjigje ndaj rreziqeve konkrete dhe të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë ligjore të punonjësve të AMP-së.
Kushtet për përfitimin e mbrojtjes së veçantë përfshijnë:
Rrethana serioze që rrezikojnë jetën, familjen apo pronën e punonjësit;
Nevoja për veprime apo masa të menjëhershme për të shmangur dëmtime të mundshme;
Lidhje shkakësore ndërmjet kërcënimit dhe ushtrimit të detyrës.
Vendimmarrja për dhënien e mbrojtjes i takon Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve (KVK), që funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të AMP-së. Ky komision, i përbërë nga drejtues të niveleve të larta brenda AMP-së, shqyrton kërkesat brenda një afati prej 10 ditësh dhe përcakton masat konkrete për mbrojtjen.
Në rastet urgjente me rrezik të menjëhershëm, drejtori i përgjithshëm i AMP-së mund të urdhërojë marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse, të cilat më pas shqyrtohen nga Komisioni për të vendosur për vazhdimësinë e tyre.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e AMP-së. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.