
Ndërsa kryeministri Edi Rama flet për sukses të skemës së tij të pensioneve, ekspertët japin alarmin se pikërisht mosfunksionimi i skemës dhe mënyra e menaxhimit ka sjellë pamundësinë për rritje të pensioneve, duke e renditur të fundit Shqipërinë në rajon sa i përket nivelit të pagesës mujore për të moshuarit.
Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Korça të hënën se falë skemës së tyre të pensioneve, sot të moshuarit po marrin pagesa më të larta. Ndërsa kryeministri vijon me propagandën e elektorale, të dhënat tregojnë të kundërtën. Krahasuar me vendet e Rajonit, Shqipëria renditet e fundit, sa i përket nivelit të pensioneve apo dhe nivelit të Prodhimit të Brendshëm Bruto të dedikuar për pensionet.
Nëse do të marrim referencë Rajonin, vetëm gjatë këtij vitit Kosova aplikoi rritje pensionesh me 20 %, ndërsa Bosnjë-Hercegovinë zbatoi formulën ligjore të indeksimit bazuar në inflacion dhe rritje të PBB-së, duke rritur pensionet me 4,49 % më 2025. Ndërkohë Mali i Zi më 2025 vendosi që asnjë pensionit të mos përfitojë më pak se 450 euro në muaj. Ndërsa Serbia me një pension disa herë më të lartë se Shqipëria prej kohësh zbaton edhe praktikën e dhënies së pensionit të 13 në fund të vitit.
Ndryshe nga vendet e Rajonit, qeveria Shqiptare ka mbetur vetëm te propaganda. Sipas ekspertit të ekonomisë Selami Xhepa shkak për pamundësinë e rritjes janë politikat me pensionet, që kanë nevojë për një rishikim të menjëhershëm të skemës.
Nga ana tjetër, pagesat e ulëta të përfitimeve sociale nuk janë të favorshme për një treg pune që po zbrazet nga emigracioni dhe plakja masive e popullsisë.
Ndërsa në vendet e Rajonit ka pasur masa direkte për rritjen e pensioneve, qeveria shqiptare është mjaftuar me bonuset elektorale në çdo prag zgjedhjesh, bonuse të cilat janë refuzuar si praktikë edhe nga vetë të moshuarit, duke i cilësuar të pamjaftueshme.