Tirana mes ndërtimit modern dhe zhdukjes së shpirtit të qytetit: Çmimet e larta të qirave po i largojnë banorët

Në dekadat e fundit, Tirana ka përjetuar një transformim të thellë urbanistik që ka ndryshuar fytyrën e saj dhe ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Ndërtesa të reja moderne, kulla dhe komplekse rezidenciale po ngrihen me shpejtësi në të gjithë qytetin, duke zëvendësuar ndërtesat e vjetra dhe duke rritur ndjeshëm çmimet e qirave.
Qendra e qytetit është kthyer në një kantier të përhershëm ndërtimi, ndërkohë që shumë prej lagjeve tradicionale po shpërbëhen nga valët e gentrifikimit. Banorët vendas nuk po arrijnë më të përballojnë koston e jetesës në zonat ku kanë jetuar prej vitesh.
“Çdo herë që largohesh nga qyteti për një javë ose dy, kthehesh dhe ka një kantier të ri që ka dalë nga asgjëja,” tregon Franziska Tschinderle, gazetare austriake që jeton prej vitesh në Tiranë. Ajo thekson se qyteti po humbet karakterin e tij: “Rrugët e ngushta, shtëpitë me kopsht dhe baret ku takoja miqtë, janë zhdukur.”
Procesi i transformimit urbanistik nisi në vitin 2000, kur Edi Rama, atëherë kryebashkiak, nisi të ndryshonte pamjen e qytetit përmes muraleve shumëngjyrëshe në ndërtesa, të cilat vazhdojnë të jenë prezente edhe sot. Ndërsa disa e vlerësojnë këtë si hap drejt modernizimit, të tjerë e kritikojnë si një formë “art washing”-u, që synon të maskojë problemet strukturore të qytetit.
Një nga shembujt më simbolikë të këtij transformimi është Piramida e Tiranës, e cila nga një simbol i diktaturës u kthye në një qendër moderne kulturore dhe teknologjike. Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi me ironi: “Hoxha do të përplasej në varr nëse do të shihte se memoriali i tij u transformua në një festim të kapitalizmit.”
Por ndërtimi i shpejtë ka sjellë dhe pasoja sociale. Sipas Guerrilla Foundation, gjatë pesë viteve të fundit çmimet e qirave në Tiranë janë rritur nga 45% deri në 58%, ndërkohë që pagat kanë mbetur thuajse të pandryshuara. Shumë biznese të vogla tradicionale po mbyllen ose po zhvendosen. Një shembull është restoranti “Noel”, i cili pas tre dekadash rrezikon të mbyllet për shkak të planeve të një kompanie ndërtimi që ka blerë ndërtesën.
Aktivistë si Lorin Kadiu paralajmërojnë se “për një person të klasës së mesme është pothuajse e pamundur të blejë një apartament në qendër të Tiranës.” Sipas tij, qyteti po shndërrohet në një “park lojërash për arkitektët”, ku ndërtimet moderne ngrihen përballë banesave të amortizuara, duke krijuar kontraste të forta vizuale dhe sociale.
Megjithatë, autoritetet mbeten optimiste. Zëvendës kryetarja Frida Pashako e sheh këtë zhvillim si një përpjekje për të rikuperuar vitet e izolimit komunist dhe për ta bërë Tiranën një qytet modern e europian.
Por pyetja që mbetet është: në çfarë Tirane do të jetojnë brezat e ardhshëm? Dhe për kë po ndërtohet ky qytet i ri?