Oerd Bylykbashi denoncon parregullsitë zgjedhore në takim me ODIHR: PS po përdor shtetin dhe krimin për të ndikuar votën

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Oerd Bylykbashi, zhvilloi një takim me ambasadorin Lamberto Zannier, shefin e misionit vëzhgues të ODIHR për zgjedhjet, në selinë e PD në Durrës.
Në këtë takim, Bylykbashi paraqiti një sërë shqetësimesh dhe problematikash që, sipas tij, po karakterizojnë fushatën zgjedhore në qytet dhe më gjerë në vend. Ai akuzoi Partinë Socialiste për përdorim masiv të burimeve shtetërore në funksion të fushatës, përfshirë ndërmarrjet publike si OSHEE dhe ujësjellësit, si dhe për dhënie të titujve të pronësisë dhe punësime në këmbim të votave.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga nënkryetari i PD ishte përfshirja e elementëve të krimit të organizuar në procesin zgjedhor, të cilët, sipas tij, veprojnë në terren në favor të PS nën mbrojtjen e policisë dhe për shkak të mosveprimit të SPAK dhe prokurorisë.
Bylykbashi foli edhe për presionet mbi votuesit, shitblerjen e votës dhe fenomenin e “asfaltit elektoral” si mjete të paligjshme për të ndikuar rezultatin zgjedhor. Ai theksoi rrezikun që qindra mijëra qytetarë mund të pengohen të votojnë për shkak të moszgjatjes së afatit të kartave të identitetit.
Përfaqësuesve të ODIHR iu kërkua vëzhgim më i shtuar në zonat e nxehta zgjedhore, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe task-forca përkatëse u thirrën të ndërhyjnë për të garantuar një proces të lirë dhe të ndershëm, larg presionit të patronazhistëve dhe individëve të lidhur me krimin.