Flamur Noka në Elbasan: Më 11 maj qyteti do t’i japë një leksion “barbarëve të pushtetit”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, zhvilloi një takim me qytetarët e Elbasanit, ku mbajti një qëndrim të ashpër ndaj asaj që e cilësoi si ndërhyrje kriminale në procesin zgjedhor.
Gjatë fjalës së tij, Noka paralajmëroi se më 11 maj, Elbasani do të ngrihet për të ndëshkuar me votë “barbarët e pushtetit”, duke i dërguar një mesazh të qartë strukturave kriminale që, sipas tij, po përpiqen të diktojnë rezultatin zgjedhor.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai akuzoi Suel Çelën si “kryebandit” që po ushtron presion mbi komisionerët dhe përfaqësuesit opozitarë.
“Larg duart nga demokratët. Larg duart Suel, se nuk do të ketë qeli të errët që do të të shpëtojë,” u shpreh Noka, duke e cilësuar përpjekjen për të ndikuar zgjedhjet si një “krim moral ndaj demokracisë”. Ai deklaroi se PD nuk do të falë asnjë përpjekje për manipulim apo kërcënim në procesin zgjedhor.
Noka akuzoi qeverinë për lidhje me botën e krimit dhe e cilësoi mbështetjen për kandidatin kundërshtar si “mbështetje për një kufomë politike”. Ai përforcoi thirrjen për mobilizim masiv më 11 maj, duke i ftuar qytetarët të votojnë për “Shqipërinë Madhështore” dhe për kreun e PD-së, Sali Berisha.
“Ne kemi moralin e qytetarit të ndershëm dhe të shqiptarit dinjitoz. Të gjithë në këmbë drejt kutive të votimit për fitoren tonë më 11 maj,” përfundoi Noka.