Lajme

Deklarata më e sinqertë e Ramës? “S’kam bërë asgjë, por më votoni” – Frikë nga gropa që i tregojnë sondazhet reale

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Kryeministri Edi Rama ka bërë një nga deklaratat më të çuditshme dhe njëkohësisht më të sinqerta të karrierës së tij politike. Gjatë një diskutimi virtual me qytetarët në rubrikën Sy m’Sy, ai pranoi: “Jam i pakënaqur në shumë gjëra, por jam ambicioz për t’i bërë më mirë.”

Kjo deklaratë, pesë ditë para verdiktit të shqiptarëve, përmbledh thelbin e një mesazhi që ngjan më shumë me një pranim dështimi se sa një kërkesë për besim: “Nuk kam bërë asgjë, por ju lutem më votoni.” Një thirrje që për disa tingëllon si: “Më votoni se mashtroj më mirë, vjedh ndryshe, jam lider që s’bëj punë.”

Sipas burimeve pranë opozitës, sondazhet e porositura nga qeveria janë përgatitur në dy versione: një real që i është dorëzuar vetë Ramës, dhe një tjetër, i “përpunuar” nga Erion Fuga dhe grupi i tij, për t’u publikuar në mediat pranë qeverisë. Qëllimi? Të krijohet iluzioni i një fitoreje të sigurt për të ndikuar në vullnetin e votuesve të pavendosur.

Kjo duket se e ka futur Kryeministrin në një fazë të re paniku politik. Ai është shndërruar në një figurë që tenton të luajë njëkohësisht edhe rolin e qeveritarit, edhe atë të opozitarit. Një sjellje që kritikët e kanë quajtur model diktatorial.

Në përpjekje për të krijuar një narrativë pozitive, Rama theksoi se Shqipëria sot është ulur në tryezën e krushqisë me familjen evropiane, por harroi të përmendë se liberalizimi i vizave dhe integrimi në NATO janë arritje të qeverisë së mëparshme të drejtuar nga Sali Berisha.

Ajo që shqiptarët shohin sot, sipas kritikëve dhe akuzave të SPAK, KLSH dhe mediave investigative, është një vend i zhytur në korrupsion, ku abuzimet me fondet publike kapin shifra marramendëse. Një narkoshtet në zemër të Evropës, ku mungon transparenca, vizioni dhe programi për të ardhmen.

Në vend të një oferte konkrete për katër vitet që vijnë, Kryeministri vazhdon të godasë opozitën. Por më 11 maj, shqiptarët do të kenë në dorë fjalën e fundit – dhe për shumëkënd, zgjedhja do të jetë më e lehtë se kurrë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button