Pushimet jashtë vendit, më të shtrenjta këtë vit – shqiptarët më të kursyer në rezervime

Pushimet jashtë vendit këtë vit po rezultojnë më të kushtueshme për shqiptarët, të cilët po shfaqen më të rezervuar për të prenotuar. Krahas rritjes së çmimeve të paketave turistike, një tjetër faktor që ka ndikuar është edhe rënia e vlerës së euros, e cila ka ulur fuqinë blerëse të qytetarëve.
Pak javë para fillimit të sezonit veror, agjencitë turistike raportojnë për një rënie të dukshme të prenotimeve. Sipas turoperatores Seidini, ky vit ka sjellë më pak rezervime, edhe pse ato kanë nisur që në muajin janar.
“Ka rënë pak numri i rezervimeve, por ka edhe prenotime për mes sezonin. Çmimet janë më të shtrenjta, ndërsa euro ka rënë, çka e ka bërë më të kushtueshme për shqiptarët të pushojnë jashtë. Në disa raste, çmimet e hoteleve janë rritur me 100-200 euro krahasuar me vitin e kaluar,” tha ajo.
Në këtë situatë, shumë qytetarë po ndryshojnë standardin e pushimeve duke zgjedhur paketa më ekonomike. Ofrimi i paketave all inclusive, që përfshijnë mëngjesin dhe darkën, është një alternativë më e leverdishme për familjet.
“Për familjarët destinacionet më të preferuara mbeten Greqia dhe Turqia. Sivjet ka një interes të shtuar për Italinë për shkak të fluturimeve low cost. Janë sidomos çiftet e reja që po e preferojnë. Në Greqi, përveç Korfuzit dhe Halkidikit, po kërkohen shumë edhe Kreta, Mykonos dhe Santorini,” shton Seidini.
Fluturimet me kosto të ulët dhe linjat direkte po kthehen në zgjedhjen më të preferuar të shqiptarëve për të kaluar pushimet e verës jashtë vendit, duke mundësuar kursime të ndjeshme për buxhetin e tyre.