Erion Veliaj sfidon Ramën në Ditën e Dëshmorëve: Postimi pa Ramën sinjal i ndarjes politike?

Në Ditën e Dëshmorëve, Erion Veliaj ka zgjedhur të bëjë një postim të veçantë në Facebook, si çdo vit më 5 maj. Megjithatë, këtë herë, vëmendjen nuk e mori mesazhi i tij për nderimin e të rënëve, por një detaj simbolik në foton që e shoqëron: mungesa e Edi Ramës.
Prej vitesh, më 5 maj Veliaj shfaqej krah liderit të qeverisë, me pamje të kuruara në detaj, njoftime të sinkronizuara dhe një përpjekje të dukshme për të promovuar imazhin e bashkimit të majtë në këtë ditë simbolike. Por sot, kreu i Bashkisë së Tiranës – tashmë në qendër të akuzave për aferën e inceneratorëve dhe përfshirjes në presione ndaj drejtësisë përmes gazetarëve të paguar – ka dalë vetëm. Pa liderin. Pa Ramën.
A është kjo një zgjedhje e rastësishme? Apo një sinjal i qëllimshëm politik? Disa e lexojnë si një sfidë të hapur ndaj kryeministrit. Të tjerë si një përpjekje për të ndarë fatin e tij nga ai i Edi Ramës, në një kohë kur drejtësia po afrohet gjithnjë e më shumë edhe me kryetarin e qeverisë.
Madje, mënyra se si Veliaj ka zgjedhur të prezantojë veten – i vetëm, si një figurë më vete – sjell në mendje edhe rastin kur Edi Rama, pas fitores së Donald Trump në SHBA, “zhduku” nga fotot miqtë e tij George Soros dhe djalin e tij. Tashmë duket se edhe Veliaj ka “retushuar” nga jeta publike Ramën, njësoj siç dikur ndodhte me figurat e rëna në disfavor në epokën e realizmit socialist.
Ky postim mund të jetë më shumë sesa një homazh. Ai ngjan si një deklaratë politike, një ndarje me të kaluarën dhe një sinjal për përkrahësit: Veliaj nuk është më krahu i djathtë i Edi Ramës. “Romanca” politike, siç e quanin shumë në kampin rilindas, duket se ka marrë fund.
Pyetja që mbetet është: A po përgatitet Veliaj për një betejë të re politike, tashmë si një figurë më vete? Apo është ky vetëm një akt simbolik i një lideri në hije që kërkon të rikthejë vëmendjen?