Kuriozitete

Zbulohet misteri i “Kodrës Piramidale” në Amazonë: Cerro El Cono, mali hyjnor mes Perusë dhe Brazilit

Në thellësi të pyllit të dendur të Amazonës, një formacion gjeologjik misterioz ngrihet mbi horizontin si një piramidë natyrore – Cerro El Cono, ose “kodra konike”. Me një lartësi prej 400 metrash dhe i izoluar nga majat përreth, ky formacion mbresëlënës ndodhet në rajonin malor të Sierra del Divisor, në kufirin mes Perusë dhe Brazilit. Në ditët me mot të kthjellët, ai mund të shihet deri nga Andet, 400 kilometra larg.

Pamja e tij e pazakontë dhe vendndodhja e largët e kanë bërë Cerro El Cono një subjekt kurioziteti, legjendash dhe teorish. Disa studiues mendojnë se formacioni mund të jetë një vullkan i fikur, ndërsa të tjerë e cilësojnë si një strukturë natyrore të rrallë. Një teori më enigmatike, por e paverifikuar, sugjeron se nën majën pyjore mund të fshihen rrënojat e një piramide të lashtë, ndërtuar nga fise indigjene.

Për popujt autoktonë që jetojnë përreth, ky mal ka një rëndësi shpirtërore të veçantë. Sipas gazetës peruane La República, disa prej tyre e adhurojnë si një “Apu Andin” – një mal i shenjtë që besohet të mbrojë dhe udhëheqë komunitetet përreth. Kjo besim ndan ngjashmëri me mitologjitë e vjetra të Perusë, Bolivisë dhe Ekuadorit.

Maja ndodhet pranë lumit Ucayali, një nga degët kryesore të Amazonës. Zona përreth është një vatër e biodiversitetit të jashtëzakonshëm dhe shtëpi e specieve të rralla si armadilot gjigantë, jaguarët dhe lloje të ndryshme majmunësh. Në vitin 2015, për të mbrojtur këtë mrekulli natyrore, u krijua Parku Kombëtar Sierra del Divisor – më i madh se vetë Yellowstone. Por, pavarësisht përpjekjeve, prerjet ilegale të pyjeve, ndërtimet dhe gjuetia e paligjshme vazhdojnë të rrezikojnë ekosistemin.

Cerro El Cono mbetet një simbol i bukurisë natyrore, por edhe i sfidës për të ruajtur një nga thesaret më të çmuara të planetit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button