Berisha nga Bulqiza: Më 11 maj bashkohemi për ndryshim – Rama ka marrë fund politikisht

Në një takim me banorët e Bulqizës, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lëshoi akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si të dështuar si politikisht ashtu edhe moralisht. Ai deklaroi se përpjekjet e Ramës për të shkatërruar opozitën janë kthyer kundër tij, duke thënë se “gropa që hapi për të tjerët do të jetë varri i tij politik”.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e 11 majit, duke kërkuar përfshirjen e të gjithëve, pa dallim bindjesh politike, për të sjellë një ndryshim rrënjësor dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më njerëzore.
Gjatë fjalës së tij, ai premtoi një sërë masash sociale brenda 100 ditëve, përfshirë rritjen e pensioneve dhe ndihmës ekonomike në 200 euro, bursat për studentët dhe mbështetje financiare për fëmijët jetimë.
“Unë nuk kam më ambicie për pushtet,” deklaroi Berisha, “por ndjej detyrimin moral të mos pajtohem me padrejtësitë që u bëhen qytetarëve shqiptarë”.
Takimi në Bulqizë shënon një tjetër hap në mobilizimin e opozitës drejt protestës së paralajmëruar të 11 majit, që Berisha e konsideron vendimtare për të ardhmen e vendit.