Lajme

Procesi i Votimit nga Jashtë: Deri më tani kanë mbërritur mbi 144 mijë zarfe me fletëvotim

Procesi i votimit të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit po vijon me intensitet, ndërsa sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më sot në orën 09:05 janë kthyer në Shqipëri 144,783 zarfe me fletëvotim.

Në total, janë dërguar 245,935 zarfe për votim, prej të cilave 221,653 janë tërhequr nga zgjedhësit. Ndërkohë, 24,282 zarfe mbeten ende të patërhequra.

Italia mban numrin më të lartë të kthimeve me 63,220 zarfe, e ndjekur nga Greqia dhe Gjermania. Sa i përket qarqeve në Shqipëri, Tirana kryeson me 34,155 zarfe të mbërritura, pasuar nga Fieri me 18,403 dhe Durrësi me 16,955 zarfe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se kompania postare DHL ka detyrimin të mbajë në zyrat e saj zarfeve që nuk ka mundur t’ua dorëzojë votuesve, deri më datën 8 maj, duke i lënë kohë qytetarëve për t’i tërhequr personalisht.

KQZ thekson se çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme. Vendi i caktuar për administrimin dhe numërimin e këtyre votave është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik në Tiranë.

Procesi konsiderohet historik për përfshirjen e diasporës në vendimmarrjen politike të vendit dhe pritet me interes të lartë nga të gjitha forcat politike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button