Tomor Alizoti: Bandat kriminale kërcënojnë qytetarët për votën, OSBE e pranon shqetësimin por nuk vepron

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, ngriti akuza të forta gjatë një interviste në emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN. Ai deklaroi se qytetarët e Elbasanit po kërcënohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga bandat kriminale për të ndikuar votën e tyre.
“Bandat kriminale po i shkojnë njerëzve natën në shtëpi dhe i kërcënojnë për votën. Demokracia nuk mund të funksionojë në një shtet që është kthyer në narko”, u shpreh Alizoti, duke shtuar se situata është e përditshme dhe ai posedon të dhëna të ofruara nga ekspertë policie.
Sipas tij, strukturat policore janë tërësisht të infiltruar nga grupet kriminale. “Kupola e policisë është e kapur. Në Shqipëri realiteti është: o çokollatën, o dajakun. Policia më ndalon natën për të më përshëndetur, sepse ditën kanë frikë”, deklaroi ai.
Një tjetër deklaratë e fortë e Alizotit kishte të bënte me një bisedë që ai thotë se ka zhvilluar me përfaqësues të OSBE-së, të cilët, sipas tij, e kanë pranuar privatisht problematikën e shit-blerjes së votës. “Ma thanë troç: e dimë që situata është keq, por në fund bëjmë vetëm një raport. Nuk mund ta ndalojmë procesin”, tha Alizoti.
Duke iu referuar situatës para zgjedhjeve, ai theksoi se SPAK duhet të veprojë përpara se të ndodhë “maskarada” dhe jo vetëm pas saj. “Pushteti po kap çdo institucion dhe opozita po përballet me një sistem të mbyllur”, tha Alizoti, duke apeluar për ndërhyrje të menjëhershme për të mbrojtur demokracinë në vend.