Lajme

LAÇ – Përplasje me armë pas një konflikti banal, humb jetën 24-vjeçari Gerald Bitri

Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Laçit mbrëmjen e së shtunës, ku një konflikt i nisur për një aksident të lehtë rrugor përfundoi në përplasje me armë zjarri, duke lënë pas një viktimë dhe katër persona të plagosur.

Viktima është identifikuar si Gerald Bitri, 24 vjeç, i cili ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të së dielës në Spitalin e Traumës në Tiranë, si pasojë e plagëve të rënda që mori gjatë të shtënave.

Në gjendje të rëndë në spital ndodhet edhe Amarildo Ndoj, 26 vjeç, ndërsa tre personat e tjerë të plagosur – Daniel Gjeloshi (26), Liridon Ismaili (26) dhe Angjelina Gjezaj (58) – janë jashtë rrezikut për jetën, por mbeten nën mbikëqyrje mjekësore.

Si ndodhi ngjarja?

Sipas policisë, konflikti nisi për një motiv banal – një gërvishtje e pasqyrave të dy automjeteve në lëvizje – dhe vijoi me një përballje të dhunshme mes dy grupeve të rinjsh në rrugën ku ndodhi tragjedia.

Pasi ndaluan makinat për t’u sqaruar, palët kanë zbritur dhe janë përballur në këmbë, ku Klevis Ndreca, 28 vjeç, ka qenë i pari që ka hapur zjarr. Ai ka qëlluar në drejtim të grupit tjetër, duke plagosur tre persona, përfshirë edhe shokun e tij Amarildo Ndoj dhe kalimtaren Angjelina Gjezaj. Ndreca dhe Daniel Gjeloshi kanë shkëmbyer zjarr me njëri-tjetrin, ndërsa arma e Gjeloshit u gjet pak metra larg vendngjarjes.

Arrestimet dhe hetimet

Policia ka arrestuar dy persona: Klevis Ndrecën dhe Daniel Gjeloshin, të cilët akuzohen për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”. Ndreca është vetëdorëzuar në polici pas ngjarjes, duke dorëzuar edhe armën e krimit.

Në vendin e ngjarjes u sekuestruan dy armë zjarri (pistoleta), një armë e ftohtë (përforcues grushti), si dhe dy automjete që shërbyen si prova materiale. Sipas dëshmisë së tij, Klevis Ndreca ka pretenduar se qëlloi nga frika, pasi mendoi se të rinjtë e tjerë ishin të armatosur.

Ngjarja ka tronditur komunitetin e Laçit, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj tragjedie.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button