Lajme

Ngjarje e rëndë në Sarandë: 48-vjeçari me precedentë penalë grabit dhe dhunon shitësen e një dyqani

Një ngjarje tronditëse është regjistruar ditën e djeshme në lagjen nr. 2 të qytetit të Sarandës, ku një person me precedentë të shumtë penalë ka kryer një akt të rëndë kriminal.

Autori i dyshuar, Jorgo Kumaraku, i njohur edhe si Leonard Kumaraku, 48 vjeç, nga fshati Livadhja i Bashkisë Finiq, nën kërcënimin e thikës ka grabitur 60.000 lekë të reja nga një dyqan konfeksionesh. Më pas, ai ka ushtruar dhunë ndaj shitëses 26-vjeçare dhe dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të.

Policia ka bërë të ditur se autori është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Kumaraku rezulton përdorues i lëndëve narkotike dhe me një dosje të gjatë penale.

Në vitin 2007 ai është dënuar me 5 vjet burg për grabitjen e punonjëses së kazinosë “Perla” në Sarandë, ku kishte përdorur një armë lodër. Në vitin 2008, gjatë qëndrimit në burg, u përfshi në një tjetër skandal, duke dhënë deklaratë të rreme për një celular të futur në qeli. Kjo gënjeshtër i solli një tjetër dënim prej 6 muajsh.

Në vitin 2013, Kumaraku kreu dy grabitje të njëpasnjëshme në kazino në Sarandë dhe Gjirokastër, sërish nën kërcënimin e një arme lodër. Në vitin 2022 ai u dënua me 1 vit e 4 muaj burg për “kanosje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.

Në korrik të vitit 2023, u arrestua për një vjedhje në një hotel në fshatin e tij të lindjes, Livadhja. Ai rezulton i dënuar edhe në Greqi për “trafik narkotikësh”.

Policia u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e të kërkuarit. Hetimet për ngjarjen e fundit vijojnë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button