Lajme

Shpërthimi në Elbasan, inskenim për përfitim azili, dy të arrestuar

Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur një lagje periferike të qytetit të Elbasanit gjatë natës. Sipas informacioneve të policisë, ngjarja ka qenë e inskenuar nga Ardit Pepa, kryefamiljar i një familjeje në lagjen “Partizani”, dhe nipi i tij, 18-vjeçari E. T. Të dy janë arrestuar nga autoritetet pas veprimeve hetimore të shpejta.

Policia ka zbardhur ngjarjen pas shpërthimit që ka shkaktuar thyerjen e xhamave të dritareve të disa apartamenteve. Sipas hetimeve, Ardit Pepa, i moshës 43 vjeç, dhe nipi i tij kanë vendosur lëndën eksplozive para banesës së tij me qëllim të krijimit të një incidenti që do t’i mundësonte përfitimin e azilit në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Operacioni policor, i koduar “Inskenimi”, ka çuar në arrestimin e dy autorëve për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Sipas policisë, shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale dhe jo të lënduar.

Materialet janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për hetime të mëtejshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button