Rikthehet marrëveshja për lëvizje të lirë në kufirin Kosovë-Shqipëri: S’ka më kontrolle në Vërmicë dhe Morinë

Qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë mund të lëvizin sërish lirshëm përmes pikave kufitare të Vërmicës dhe Morinës, pa pasur nevojë për kontrolle kufitare. Marrëveshja për lëvizje të lirë është rikthyer në fuqi nga sot, pas një ndërprerjeje dy mujore.
Nga 1 marsi e deri më sot, udhëtarët janë detyruar të paraqesin dokumentet e identifikimit dhe automjetet e tyre janë regjistruar, si pjesë e një procesi për përpunimin e saktë të të dhënave. Kjo ka shkaktuar pritje dhe vonesa për udhëtarët që lëvizin rregullisht mes dy shteteve.
Rikthimi i marrëveshjes pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin, veçanërisht me afrimin e sezonit turistik, ku flukset e qytetarëve dhe automjeteve zakonisht rriten ndjeshëm. Autoritetet në të dyja anët e kufirit kanë konfirmuar se nuk do të ketë më kontrolle të rregullta, përveç rasteve të veçanta të kontrollit të rastësishëm.
Ky zhvillim shihet si një hap pozitiv drejt thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe forcimit të lidhjeve mes qytetarëve të dy vendeve.