Jorida Tabaku viziton fermë në Hekal: Angazhim për mbështetje të blegtorisë dhe bujqësisë

Kandidatja për deputete në listën e hapur të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, realizoi një vizitë në një fermë familjare në fshatin Hekal të Tiranës, ku mori njohuri më të thella për sfidat e shumta me të cilat përballet sektori i blegtorisë dhe bujqësisë në vend.
Gjatë kësaj vizite, Tabaku theksoi gjendjen e rënduar të infrastrukturës dhe mungesën e mbështetjes nga shteti, duke përmendur faktin se subvencionet dhe fondet nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Blegtorisë (AZHBR) nuk kanë mbërritur kurrë në këtë zonë. Ajo vlerësoi punën e fermës së vëllezërve Sheshi, të cilët, pa mbështetje shtetërore, kanë arritur të ndërtojnë një biznes të qëndrueshëm me mundësitë e tyre.
“Respekt i jashtëzakonshëm për njerëzit e punës si Ylli dhe i vëllai, që çdo gjë e kanë ngritur nga zero,” u shpreh Tabaku, duke theksuar se këto janë histori të vërteta të shpresës dhe qëndresës që mbajnë gjallë jetën në fshat.
Tabaku garantoi se, pas 11 majit, Partia Demokratike do të fokusohet në mbështetje konkrete për blegtorinë, bujqësinë dhe çdo qytetar që jeton dhe punon me ndershmëri në Shqipëri.