Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën e Fran Marashit për heqjen nga regjimi 41-bis

Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e Fran Marashit për t’u larguar nga regjimi i sigurisë së lartë 41-bis, ku ndodhet i izoluar prej 13 dhjetorit 2024, me vendim të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Vendimi u dha në seancën e mbajtur këtë të mërkurë në orën 10:00 nga gjyqtari Erjon Bani, sipas raportimit të gazetarit të Syri TV, Fatjon Gjinaj.
Fran Marashi u dënua muajin e kaluar nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion me burgim të përjetshëm për përfshirje në masakrën e Urës Vajgurore më 17 qershor 1997, ku humbën jetën 4 efektivë policie dhe u plagosën 6 të tjerë. Çështja u rigjykua pas vendimit të Gjykatës së Lartë për rikthim në shqyrtim.
Përveç Marashit, me burg përjetë janë dënuar edhe Musa Protoduari dhe Shkëlqim Protoduari, ndërsa disa persona të tjerë janë dënuar me nga 25 vite burg.