Lajme

Arrestohet shqiptari në Itali: Shiste kokainë në lokal dhe mbante armë pa leje

Një 33-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane në San Giuliano Milanese, pas një operacioni antidrogë të realizuar nga Policia e Shtetit, seksioni i gjashtë i skuadrës fluturuese të Milanos. Ai akuzohet për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas autoriteteve italiane, shqiptari shfrytëzonte lokalin e tij në via Carducci si vend për shpërndarjen e kokainës. Rreth orës 16:00, agjentët që kishin nën mbikëqyrje zonën vunë re një shkëmbim të dyshimtë mes pronarit dhe një 67-vjeçari italian, i cili u ndalua menjëherë sapo doli nga lokali. Gjatë kontrollit ndaj tij, iu gjet një sasi prej rreth 3 gramësh kokainë.

Menjëherë pas ndalimit të blerësit, policia arrestoi edhe pronarin e lokalit, të cilit iu gjetën dy telefona celularë, një çantë me 550 euro cash dhe një pistoletë gjysmë automatike me karikator dhe municion.

Kontrolli brenda ambientit të lokalit zbuloi edhe 325 gramë kokainë të mbështjellë me celefon, një peshore precize dhe materiale për ndarjen dhe paketimin e drogës në doza.

33-vjeçari shqiptar, që rezulton me precedentë penalë, ndodhet tashmë në paraburgim në pritje të veprimeve të mëtejshme nga autoritetet italiane.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button