Lajme

Çështja “Toyota Yaris”/ Gjykata e Posaçme kalon për gjykim avokatin Radovan Çela

Gjykata e Posaçme ka vendosur të kalojë për gjykim çështjen penale ndaj avokatit Radovan Çela, i përfshirë në dosjen e njohur si “Toyota Yaris”. Vendimi u mor pas vetëdorëzimit të Çelës, i cili më herët ishte shpallur në kërkim së bashku me dy të pandehur të tjerë, Astrit Vladi dhe Erjona Daupaj.

Avokati Çela ka kërkuar gjykim të shkurtuar, procedurë që parashikon shqyrtimin e çështjes vetëm mbi bazën e provave të mbledhura nga SPAK. Gjykata pritet të vendosë për pranimin ose jo të kësaj kërkese më 12 maj.

Sipas SPAK, Çela akuzohet për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë. Ai dyshohet se ka ndërhyrë në vendimmarrje përmes ofrimit të përfitimeve të paligjshme, në bashkëpunim me ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, ndaj të cilit është dhënë tashmë pretenca për 4.6 vite burg – dënim që mund të ulet për shkak të procedurës së shkurtuar.

Hetimet për këtë çështje nisën falë të dhënave të siguruara nga aplikacioni i koduar Sky ECC, të vëna në dispozicion nga autoritetet franceze. Komunikimet e zbuluara zbulojnë përfshirjen e Çelës dhe Zarkës në ndërhyrje të paligjshme në disa procese gjyqësore, përfshirë edhe rastin e Suel Çelës, ku dyshohet se kanë ndikuar për çlirimin e pasurive të sekuestruara nga Operacioni Forca e Ligjit.

Dosja “Toyota Yaris” është një ndër çështjet më të bujshme të viteve të fundit, e lidhur me sekuestrimin e 3.4 milionë eurove të padeklaruara në dy automjete në Portin e Durrësit në vitin 2018. Hetimet për personat e tjerë të përfshirë në këtë aferë vijojnë ende në një procedim të ndarë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button