Raporti i Amnesty International: Skandali i shëndetësisë në Shqipëri, Rama në fokus

Një ditë pas propagandës së kryeministrit Edi Rama në Qendrën Spitalore Universitare, duke lënë pacientët në ambulanca të vuajnë, Shqipëria përballet me një nga raportet më të rënda në historinë e saj post-komuniste. Organizata prestigjioze, Amnesty International, publikoi raportin e saj vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriut, ku për herë të parë tërheq vëmendjen për problemet e shëndetësisë shqiptare.
Në qendër të raportit është skandali me Spitalin Onkologjik në Tiranë, ku Amnesty International nënvizon se pacientëve me kancer u mohua qasja në kujdes shëndetësor falas. “Shumë pacientë që kishin nevojë për trajtim për kancerin u transferuan në klinika private me pagesë,” thuhet në raport. Mjekët që morën pjesë në këtë abuzim janë pezulluar dhe hetimet janë ende në proces.
Komiteti i OKB-së për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore theksoi gjithashtu shqetësimet për infrastrukturën e dobët të kujdesit shëndetësor, mungesën e personelit, dhe shpërndarjen e pabarabartë të shërbimeve, veçanërisht në zonat rurale.
Pavarësisht kësaj, mediat e kontrolluara nga qeveria nuk e trajtuan këtë raport, që përbën një kritikë të fortë për qeverisjen e Edi Ramës. Ky raport vjen pas një deklarate të tij ku pranoi se në Spitalin Onkologjik ishin kryer “krime kundër njerëzimit”. Megjithatë, pas 12 vitesh në pushtet, Rama nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete për të përmirësuar situatën, e cila ka vazhduar të përkeqësohet.
Raporti i Amnesty International është një tjetër dëshmi që konfirmon atë që është thënë vazhdimisht: kur nuk ndërhyn kundër krimeve të tilla, kryeministri Rama ka lejuar vazhdimin e tyre.