Pas 7 vitesh hetime, zbardhet vrasja e Antonio Karafilit në Voskopojë: Prokuroria identifikon autorët

Shtatë vite pas ngjarjes tragjike që tronditi qytetin e Korçës, prokuroria e këtij qyteti ka arritur të identifikojë autorët e vrasjes së të riut Antonio Karafili, i cili u gjet i pajetë në një pishë në Voskopojë më 14 qershor 2018. Pas një hetimi të gjatë dhe të detajuar, është arritur në përfundimin se Antonio nuk është vetëvrarë, por është vrarë me paramendim nga Kejsi Spaillari dhe Rexhep Vathi.
Sipas dosjes hetimore, Kejsi Spaillari, në atë kohë 18 vjeç, në bashkëpunim me të dashurin e saj Rexhep Vathi, kanë mbytur me çarçaf të riun Antonio Karafili dhe më pas kanë inskenuar një vetëvarje duke e varur trupin e tij në një pishë. Qëllimi ishte të krijohej përshtypja e një vetëvrasjeje dhe të shmangej çdo dyshim mbi një krim të qëllimshëm.
Një provë kyçe që zbërtheu këtë mister ishte gjurma e ADN-së së Kejsi Spaillarit, e cila u identifikua në çarçafin me të cilin ishte lidhur viktima. Po ashtu, prova biologjike është siguruar edhe për bashkëautorësinë e Rexhep Vathit, i cili ndërkohë ka ndërruar jetë si pasojë e një akti vetëvrasës.
Për Kejsi Spaillarin, prokuroria ka lëshuar tashmë një urdhër arresti për akuzën e “Vrasjes me dashje” kryer në bashkëpunim. Ajo aktualisht ndodhet jashtë vendit, me banim në Kanada.
Hetimet fillestare u fokusuan në pistën e vetëvrasjes, duke çuar në mbylljen e përkohshme të dosjes. Megjithatë, me vendim të gjyqtarit Arben Lena, çështja u rikthye për rihetim dhe u orientua në drejtim të akuzës për vrasje me dashje. Një element që hodhi poshtë pistën e vetëvrasjes ishte fakti se trupi i Antonio Karafilit ishte gjetur me këmbë në tokë dhe pa asnjë shenjë në duar apo thonj që të tregonte përpjekje për ngjitje në pemë, duke ngritur dyshime të forta se ai nuk kishte lidhur vetë litarin.
Motivi i ngjarjes dyshohet të ketë qenë një lidhje dashurie e ndërlikuar. Antonio dyshohej se ishte në një lidhje me Kejsi Spaillarin, e cila njëkohësisht kishte krijuar marrëdhënie edhe me Rexhep Vathin. Kjo situatë solli tensione dhe dyshime xhelozie që, sipas prokurorisë, çuan në krimin e rëndë.
Familja e viktimës ka deklaruar që nga fillimi se nuk besonin në një vetëvrasje, duke vënë në dukje rrethanat e pazakonta në të cilat ishte gjetur trupi i djalit të tyre. Pas shumë vitesh pritje dhe dhimbje, drejtësia më në fund ka hedhur dritë mbi këtë ngjarje tragjike.