Luçiano Boçi: Pas investigimit të “Piranjave”, SPAK duhet të hetojë Benet Becin për shpërdorim detyre dhe krim zgjedhor

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun Shkodër, Luçiano Boçi, ka reaguar pas transmetimit të investigimit të emisionit “Piranjat”, i cili denoncoi betonizimin e Velipojës nga Bashkia Shkodër në bashkëpunim me IMT-në dhe IKMT-në.
Në një deklaratë për mediat, Boçi theksoi se këto veprime janë të motivuara politikisht, me qëllim devijimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e 11 majit. Sipas tij, përgjegjës për këtë situatë është kandidati socialist Benet Beci, i cili, pavarësisht hetimeve për korrupsion nga SPAK, ka vendosur kush ndërton dhe kush pengohet, bazuar në bindjet dhe mbështetjen politike.
“Pas këtyre fakteve, i takon SPAK të nisë hetimet për shpërdorim detyre dhe krim zgjedhor ndaj Benet Becit, tashmë i kallëzuar nga Partia Demokratike, si dhe ndaj drejtuesve të IKMT dhe IMT,” deklaroi Boçi.
Ai akuzoi Bashkinë Shkodër për kryerjen e krimeve zgjedhore përmes lejimit të ndërtimeve pa leje, asfaltimit elektoral, shkarkimeve dhe paralajmërimeve politike.
“11 Maji nuk do mund të rrëmbehet e as të merret peng nga Rama apo Benet Beci. PD, bashkë me qytetarët, do të triumfojë,” përfundoi Boçi.