Lajme

Florida Ymeri: Shëndetësia jashtë Tiranës po shkatërrohet, koha për një sistem që shërben qytetarëve

Në një deklaratë të fortë publike, Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë në Partinë e Lirisë, Florida Ymeri, ka denoncuar situatën alarmante të shëndetësisë në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë aktuale për dështim në garantimin e shërbimeve të barabarta për qytetarët.

Sipas Ymerit, ndërsa në Tiranë po investohen miliona euro në spitale luksoze dhe projekte fasadë, në qytetet e tjera të vendit spitalet po mbyllen një nga një, duke lënë komunitete të tëra pa shërbim bazik mjekësor. Ajo përmendi rastet e Pogradecit, Kukësit, Tepelenës, Bulqizës, Librazhdit dhe Tropojës, ku, sipas saj, qytetarët detyrohen të udhëtojnë për orë të tëra drejt kryeqytetit për të marrë trajtim shëndetësor minimal.

“Spitalet e rretheve janë shuar. Aty ku dikur kishte jetë dhe shpresë, sot ka korridore të zbrazura dhe mungesë të theksuar të mjekëve,” tha Ymeri, duke shtuar se urgjencat në këto qytete janë kthyer vetëm në pika referimi, pa kapacitete reale shërbimi.

Në deklaratën e saj, Ymeri ngriti alarmin se qytetarët përballen me spitale të mbingarkuara në Tiranë dhe me një sistem që nuk i shërben më interesit të pacientëve, por interesave politike dhe propagandistike.

Ajo theksoi se Koalicioni PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka një program të qartë dhe të zbatueshëm për të rikthyer dinjitetin e profesionistëve të shëndetësisë dhe për të garantuar shërbime të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht vendbanimit të tyre.

“Shëndetësia nuk është luks për Tiranën dhe harresë për rrethet. Është një e drejtë për të gjithë!”, u shpreh Ymeri, duke bërë thirrje për ndryshim në zgjedhjet e 11 majit dhe duke ftuar qytetarët të votojnë Koalicionin PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore dhe kandidatin Ilir Metaj.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button