Operacioni “Koordinata”/ Policia zbulon 2200 bimë kanabisi në Vau i Dejës

Policia e Shtetit ka nisur një operacion të gjerë në rang kombëtar, të koduar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike. Në këtë operacion janë angazhuar Drejtoritë Vendore të Policisë, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Policia Kufitare.
Në kuadër të këtij plani operativ, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë evidentuar dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Vig. Përdorimi i dronëve dhe informacionet nga inteligjenca policore mundësuan zbulimin e 2200 bimëve të dyshuara si cannabis sativa të kultivuara në tokë dhe 578 fidanëve të tjerë të mbjellë në kubikë.
Një pjesë e bimëve dhe fidanëve u sekuestrua si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me djegie në vendngjarje. Policia vijon punën për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Ndërkohë, materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.