Flamur Noka: Amerika është me Sali Berishën, jo më me Edi Ramën

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tashmë në mbështetje të Sali Berishës dhe Partisë Demokratike, duke i dhënë fund, sipas tij, një epoke mbështetjeje për Edi Ramën. Në një postim në rrjetet sociale, Noka theksoi se nuk do të ketë më bekim për Ramën nga George Soros, Antony Blinken dhe ish-ambasadorja Yuri Kim, të cilët, sipas tij, e mbështetën gjatë 12 viteve në pushtet.
Noka akuzoi Ramën se gjatë kësaj periudhe ka përfituar nga mbështetja ndërkombëtare për të manipuluar proceset zgjedhore, ndërsa tani, sipas tij, kjo mbështetje ka marrë fund. “Edi Rama nuk mundet më as të rrëmbejë votën dhe as ta blejë, sepse nuk do t’i vijë kurrë më bekim nga Amerika,” u shpreh ai.
Ai shtoi se historia ka ndryshuar dhe se tani “Amerika është me Sali Berishën dhe me demokratët”. Sipas Nokës, strategu i fushatës së Presidentit Donald Trump, Chris LaCivita, është bashkuar me Partinë Demokratike për të luftuar ndikimin e George Soros-it në Shqipëri.