Goditet një tjetër rast kontrabande në Portin e Durrësit, arrestohet 28-vjeçari nga Kukësi

Një tjetër tentativë për kontrabandë është zbuluar në Portin e Durrësit. Policia Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, arrestoi një 28-vjeçar që tentonte të trafikonte mallra të akcizës.
Në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe analizës së riskut, shërbimet kufitare ndaluan në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë shtetasin R. S., banues në Kukës. Gjatë kontrollit të imtësishëm të furgonit që ai drejtonte, policia zbuloi 177 steka me cigare, të fshehura me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.
Si rezultat, mallrat e kontrabanduara dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj 28-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.