
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur këtë mëngjes në Tunelin e Kalimashit, ku dy automjete janë përplasur, njëri prej të cilëve ishte i angazhuar në mirëmbajtjen e rrugës.
Ngjarja u shënua rreth orës 10:15, dhe si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të plagosur. Të dëmtuarit janë identifikuar si shtetasit N. B., S. T., dhe E. Sh., të cilët janë transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe një grup hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë së Kukësit:
“Rreth orës 10:15, në tunelin e Kalimashit, dyshohet se janë përplasur një automjet i subjektit përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugës dhe një automjet tjetër. Si pasojë janë dëmtuar shtetasit N. B., S. T. dhe E. Sh., të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.”
Gjendja shëndetësore e të lënduarve nuk është bërë ende e ditur.