Banorët e Laprakës i bashkohen “Nisma Shqipëria Bëhet”: Thirrje për ndryshim dhe referendum popullor

Banorët e Laprakës i janë bashkuar pasditen e së enjtes takimit të radhës të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, ku u prezantuan kandidatët dhe programi për zgjedhjet e 11 majit. Në fjalën e tij, kryetari i koalicionit për Tiranën, Endri Shabani, sulmoi ashpër mënyrën se si menaxhohet pushteti aktual, duke e cilësuar luksin e qeveritarëve si produkt të sakrificës së qytetarëve shqiptarë.
“Nëse do t’ju pyesnin që rrugët të bëhen me taksat tuaja dhe përfituesi të jetë privati, do votonit Po apo Jo? A do pranonit që oligarkët të marrin tokë në bregdet për 1 euro, ndërsa ju të punoni 12 muaj për një metër katror në Tiranë? Apo që fëmijët të pijnë qumësht serb, ndërsa fermerët tanë e derdhin të tyrin? Këto kanë ndodhur, por askush s’ju ka pyetur,” – u shpreh Shabani, duke akuzuar Parlamentin se është i mbushur me “servilë të kryetarëve” dhe jo përfaqësues të vërtetë të qytetarëve.
Ai theksoi se qytetarët po përballen me rritje të çmimeve dhe varfëri, ndërsa pushtetarët jetojnë në luks. “Që Edi Rama të pijë verë 33 mijë euroshe, ne duhet të pimë ujë depozite. Që ai të udhëtojë me avion privat, ne duhet të ngjeshemi në autobus. Ky është realiteti,” – deklaroi Shabani.
Nga ana tjetër, Adriatik Lapaj njoftoi synimin e koalicionit për të miratuar një ligj për referendumet pas zgjedhjeve të 11 majit. “Fjalën e fundit duhet ta ketë populli. Sepse kur kryeministri çmendet, duhet të ekzistojë një instrument demokratik për ta ndalur. Ne do të luftojmë për këtë të drejtë,” – tha ai, duke ftuar qytetarët të votojnë numrin 6 në fletën e votimit.
Ndërsa Panajot Soko nga ‘Thurje’ u ndal tek gjuha politike dhe mesazhet që përcillen në shoqëri nga drejtuesit. Ai kritikoi kryeministrin Rama për përdorimin e termit “autikë” ndaj votuesve opozitarë, duke e quajtur këtë një normalizim të bullizmit institucional. “Ky model prek fëmijët tanë dhe e shndërron përbuzjen në normë shoqërore. Ndaj më 11 maj vendosim për modelin që duam të na përfaqësojë,” – theksoi Soko.
Takimi në Laprakë u zhvillua në një atmosferë entuziaste, me pjesëmarrës që kërkojnë ndryshim të thellë në mënyrën si qeveriset vendi.