Lajme

Tentativë vrasjeje në Fier – Dy persona procedohen për armëmbajtje pa leje dhe atentat me armë zjarri

Një ngjarje e rëndë është regjistruar më 9 prill 2025 në rrugën dytësore të Unazës Fier–Vlorë, në afërsi të fshatrave Dërmenas-Sulaj, ku dy shtetas kanë tentuar të vrasin me armë zjarri dy persona që po udhëtonin me motomjet. Si pasojë e sulmit, njëra prej viktimave ka mbetur e dëmtuar, ndërsa një nga autorët është arrestuar në flagrancë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar procedimin penal nr. 474, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, në ngarkim të shtetasve Afrim Cimili dhe Ali Cimili.

Nga hetimet e deritanishme të kryera në bashkëpunim me policinë, është dokumentuar se rreth orës 13:30-14:00, autorët kanë qëlluar me armë automatike dhe pistoletë në drejtim të shtetasve H.M. dhe S.M. Sipas burimeve zyrtare, S.M. ka pësuar dëmtime si pasojë e të shtënave.

Policia ka arritur të ndalojë në vendngjarje një nga autorët, shtetasin A.C., ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg” nga Gjykata e Fierit, që e ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë.

Prokuroria e Fierit ka shprehur angazhimin maksimal për hetimin e plotë të ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve të veprave penale që cenojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button