RCC: Klasterat industrialë mund të nxisin zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor – Shqipëria dhe Kosova ende prapa në procese industriale

Një studim i fundit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, mund të avancojnë ndjeshëm ekonomitë e tyre përmes zhvillimit të prodhimit industrial dhe krijimit të klasterave rajonalë në disa sektorë kyç.
Industria automobilistike dhe përpunimi i metaleve me potencial në rajon
Sipas studimit, Shqipëria dhe Kosova mbeten prapa në proceset industriale dhe integrimin në tregjet globale, ndërkohë që Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë përfituar nga përfshirja në zinxhirët globalë të furnizimit, veçanërisht në industrinë automobilistike. Këto vende kanë avancuar në prodhimin e komponentëve për automjetet elektrike. Ndërkohë, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia kanë forcuar pozitat në përpunimin e metaleve.
Agro-përpunimi dhe mundësia për “Ballkan Fresh”
Në industrinë agro-ushqimore, studimi propozon krijimin e një marke të përbashkët rajonale “Ballkan Fresh”, që do të promovonte produktet bujqësore në tregjet ndërkombëtare përmes certifikimeve për cilësi dhe qëndrueshmëri. Gjithashtu, sugjerohet organizimi i panaireve ndërkombëtare me rotacion ndërmjet vendeve të rajonit.
Plani thekson se Shqipëria dhe Kosova duhet të forcojnë prodhimin vendas dhe të lidhin prodhimin me qendrat e përpunimit në Serbi dhe Mal të Zi, për të rritur vlerën e shtuar të eksporteve. Po ashtu, propozohet krijimi i një platforme digjitale rajonale për sigurinë ushqimore “nga ferma te tryeza”, si dhe ndërtimi i një Qendre Rajonale të Inovacionit Agri-Ushqimor për të përshpejtuar praktikat ekologjike dhe organike.
Shqipëria me potencial për montime në industrinë automobilistike
Edhe pse Shqipëria nuk është ende pjesë aktive e industrisë automobilistike, studimi sugjeron fokusimin e saj në montimin e komponentëve të thjeshtë si kabllot dhe modulet elektronike. Për këtë, nevojiten stimuj fiskalë për të tërhequr investitorët dhe bashkëpunim me universitetet dhe qendrat profesionale në rajon për përgatitjen e fuqisë punëtore.
Çfarë duhet të përmirësojë Shqipëria
Për t’u bërë pjesë e klasterave rajonalë, Shqipëria duhet të investojë në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe multimodale, të digjitalizojë kalimet kufitare dhe të lehtësojë aksesin në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME). Promovimi i instrumenteve alternative financiare, si faktoringu dhe leasingu, si dhe nxitja e fondeve private për investime, janë thelbësore.
Gjithashtu, vendi duhet të miratojë kritere të përbashkëta mjedisore në tenderët publikë, për të nxitur kërkesën për produkte dhe shërbime të qëndrueshme.
Studimi përfundon duke theksuar rëndësinë e vullnetit politik dhe të bashkëpunimit rajonal, si faktorë kyç për realizimin e këtyre strategjive zhvillimore.