Policia arreston shtatë persona për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik

Policia dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë dhënë detaje lidhur me një aksion të madh policor në Kaçanik, ku u arrestuan shtatë persona të dyshuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka theksuar se disa nga të dyshuarit kanë pasur të kaluar kriminale dhe janë arrestuar më parë për raste me prirje ekstremiste. Megjithatë, ai tha se është ende herët për të konfirmuar lidhje të drejtpërdrejta me terrorizmin, pasi hetimet janë ende në zhvillim.
Hoxha shtoi se grupi kriminal ka lidhje me vrasjen e rreshterit Lika dhe se dyshojnë që ata kanë planifikuar dhe bashkëekzekutuar vrasjen. Ai po ashtu theksoi se rreshteri ka qenë në detyrë në mbështetje të hetimeve të mëparshme për rastet e djegies së gjykatës dhe shpërndarjes së pamfletëve në Kaçanik.
Ndërkohë, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, ka njoftuar se janë arrestuar shtatë persona dhe se vrasja e rreshterit mund të ketë lidhje me punën e tij si zyrtar policor. Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit për një person të mitur, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e rreshterit në bashkëkryerje me disa të dyshuar të tjerë.
Sipas Prokurorisë, më 1 prill 2025, i mituri dhe të tjerët e kanë ekzekutuar viktimën, pas përfundimit të orarit të punës, kur ai ishte duke shkuar në shtëpinë e tij në Kaçanik. Pas ngjitjes së shkallëve të ndërtesës, i mituri e ka qëlluar me armë zjarri në momentin kur viktima ka hyrë në shtëpi.