Lajme

Riatdhesimi i parë nga Qendra e Gjadrit, ministri italian: Hap i rëndësishëm kundër emigracionit të paligjshëm

Nga Qendra e Riatdhesimit në Gjadër është kryer riatdhesimi i parë i një emigranti të huaj drejt vendit të origjinës. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, i cili përmes një postimi në platformën X e ka konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm në luftën kundër emigracionit të paligjshëm.

Sipas ministrit italian, pas përfundimit të procedurave ligjore dhe qëndrimit të përkohshëm në qendrën e posaçme në Shqipëri, shtetasi i huaj është deportuar drejt vendit të tij të origjinës.

“Riatdhesimi i parë nga Shqipëria i një shtetasi të huaj në Qendrën e Riatdhesimit Gjadër. Operacionet e riatdhesimit të emigrantëve të parregullt do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, siç parashikohet nga strategjia e qeverisë për një veprim më efektiv për të luftuar imigracionin e paligjshëm”, shkruan Piantedosi në postimin e tij.

Qendra e Gjadrit është pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigracionit, një projekt që ka ngjallur debat të gjerë në opinionin publik dhe politik në të dy vendet.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button