Për herë të dytë dështon konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës – Të shtunën mbahet tentimi i tretë

Të enjten ka dështuar për herë të dytë mbajtja e seancës për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, deklaroi pas një takimi konsultativ me përfaqësuesit e partive politike se nuk u arrit konsensus për të vazhduar me seancën.
“U panë qëndrimet aktuale, partitë politike braktisën seancën konsultuese. Fatkeqësisht, nuk pati konsensus për sot”, tha Dehari.
Seanca e parë e mbajtur të martën u ndërpre për shkak të moskalimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve. Raporti mori vetëm 52 vota, ndërkohë që nevojiteshin 61 për ta kaluar. Lëvizja Vetëvendosje, që doli fituese në zgjedhjet e fundit, nuk arriti të sigurojë mbështetje të mjaftueshme, pasi partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar votuan kundër, duke kërkuar dorëheqjen e Albin Kurtit dhe kabinetit të tij qeveritar.
Pas dy tentativave të pasuksesshme, përpjekja e tretë për konstituimin e Kuvendit pritet të ndodhë të shtunën në orën 12:00. Mbetet të shihet nëse Vetëvendosje do t’i sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë së re.