Lajme
Kryesore

Rriten shpenzimet për personelin në pushtetin vendor, bien ndjeshëm investimet në infrastrukturë

Gjatë vitit 2024, shpenzimet e pushtetit vendor në Shqipëri arritën në 74 miliardë lekë, ku pjesën më të madhe e zënë shpenzimet për personelin, me 46% të totalit. Kjo përfaqëson një rritje krahasuar me vitin 2023, kur shpenzimet për këtë kategori përbënin 43% të totalit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, rritja e shpenzimeve për personelin lidhet me dy faktorë kryesorë: transferimin e funksioneve nga pushteti qendror tek ai vendor si pjesë e reformës së decentralizimit, dhe rritjen e pagave për administratën vendore që hyri në fuqi në shtator të vitit 2024, me një efekt shtesë prej 3 miliardë lekësh në buxhet.

Ndërkohë, pesha e investimeve në totalin e shpenzimeve ka pësuar rënie, duke zbritur në vetëm 19% në vitin 2024, nga 24% që ishte një vit më parë. Kjo tregon për një prirje në ulje të fondeve të alokuara për zhvillim dhe infrastrukturë në nivel vendor.

Performanca e dobët në realizimin e investimeve mbetet shqetësuese. Vetëm 43% e programit të planifikuar për investime është realizuar gjatë vitit 2024. Nga 46.3 miliardë lekë të planifikuara, janë investuar vetëm 19.9 miliardë lekë.

Ndër bashkitë më të mëdha, Tirana kishte planifikuar investime prej 18 miliardë lekësh, por realizoi vetëm 6.1 miliardë lekë, ose 34%. Në Durrës, që përballon fluksin më të madh të turistëve, nga 4 miliardë lekë të planifikuara u investuan vetëm 2 miliardë, ose 50%. Situata më kritike u regjistrua në Vlorë, ku vetëm 17% e programit u realizua – nga 1.4 miliardë lekë të planifikuara, u investuan vetëm 251 milionë lekë.

Pavarësisht reformës territoriale që synoi rritjen e autonomisë së bashkive përmes decentralizimit të kompetencave dhe burimeve financiare, ende mbizotërojnë paqartësi funksionale. Pushteti qendror ka transferuar përgjegjësi për shërbime si zjarrfikësit dhe mirëmbajtja e rrugëve, pa shoqëruar këto me fondet përkatëse.

Bashkitë vazhdojnë të përballen me mungesë të kapaciteteve profesionale për të menaxhuar projektet zhvillimore në nivel lokal, çka ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës së qytetarëve.

Reforma që synonte forcimin e pushtetit vendor duket se ka prodhuar sfida të reja, përballë të cilave bashkitë ende nuk janë plotësisht të përgatitura.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button