Përparim Spahiu shpall planin për rilindjen e Dibrës: “Nga simbol largimi, në histori rikthimi dhe zhvillimi”

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, ka prezantuar një plan ambicioz për zhvillimin e kësaj zone, duke synuar ta shndërrojë nga një vend simbol i emigracionit, në një qendër tërheqëse për investime, prodhim dhe jetesë cilësore.
Në një deklaratë publike, Spahiu tha se çdo emigrant që vendos të investojë në Dibër, do të përjashtohet nga taksat dhe tatimet për një periudhë prej pesë vitesh. Ai theksoi se përfshirja e diasporës është thelbësore për rilindjen ekonomike të vendlindjes.
“Do të lehtësojmë barrën fiskale për bizneset e vogla me xhiro deri në 18 milion lekë,” u shpreh Spahiu, ndërsa paralajmëroi edhe masa konkrete për të ulur çmimin e naftës dhe energjisë elektrike, me qëllim që prodhimi dhe jeta të bëhen më të përballueshme për qytetarët.
Një tjetër shtyllë e planit të tij është mbështetja për sektorin bujqësor dhe blegtoral. Spahiu premtoi rritje të ndjeshme të buxhetit me subvencione të drejtpërdrejta, pa burokraci, për të nxitur prodhimin dhe për ta kthyer Dibrën në një zonë tërheqëse për investime.
“Dibra do të lulëzojë. Tirana do vijë të pijë kafen këtu, Dibra e Madhe do blejë mollë në tregjet tona,” u shpreh ai në postimin e tij në Facebook, duke theksuar se objektivi i tij është kthimi i dibranëve në vendin që meritojnë.