Lajme

FMN: Tregu i cekët valutor në Shqipëri justifikon ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë

Tregu i cekët valutor në Shqipëri mund të justifikojë ndërhyrjet e herëpashershme të Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit. Në një studim të fundit, ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) theksojnë se tregjet e cekëta kanë ndërmjetës financiarë me kapacitet të kufizuar për të përballuar luhatjet e mëdha në kërkesë apo ofertë për valutë, çka mund të çojë në devijime të forta të kursit të këmbimit nga vlerat themelore.

Sipas FMN-së, me një volum vjetor prej rreth 11 miliardë dollarësh, tregu valutor shqiptar është ndjeshëm më i vogël krahasuar me tregjet në zhvillim, ku xhiroja mesatare vjetore arrin në rreth 52 miliardë dollarë. Kjo e bën sistemin më të ndjeshëm ndaj goditjeve të jashtme dhe luhatjeve të kursit.

Për herë të parë, gjatë vitit të kaluar Banka e Shqipërisë ndërmori një ndërhyrje afatgjatë në tregun valutor, me synimin për të frenuar mbiçmimin e mëtejshëm të Lekut. Banka Qendrore bleu rreth 933 milionë euro në tregun vendas, me një rritje prej 249% krahasuar me vitin 2023, duke shënuar një rekord historik në ndërhyrje.

Nga kjo shumë, vetëm 283.8 milionë euro ishin blerje të planifikuara për rritjen e rezervës valutore – një rritje me 14% në krahasim me vitin paraprak. Pjesa dërrmuese prej 649 milionë eurosh përfaqësonte ndërhyrje direkte në treg, të nisura në maj dhe të zgjatura deri në dhjetor, për të ndalur forcimin e mëtejshëm të Lekut. Muaji me vlerën më të lartë të blerjeve ishte tetori, me 169.4 milionë euro të blera nga Banka Qendrore.

Sipas analizës së FMN-së, kursi mesatar Euro-Lek pësoi një rënie prej 7.4% vitin e kaluar, por kjo rënie do të ishte edhe më e madhe në mungesë të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë.

FMN sugjeron që kursi i këmbimit të vazhdojë të luajë rolin si amortizues i goditjeve të jashtme dhe që ndërhyrjet të përdoren vetëm kur ndikimet janë të përkohshme dhe jo të lidhura me faktorë themelorë. Modelet e FMN-së tregojnë se mbiçmimi i Lekut ka qenë kryesisht i nxitur nga faktorë themelorë, ndërsa efektet nga faktorë të përkohshëm kanë qenë të kufizuara.

Në përfundim, studimi thekson rëndësinë e ruajtjes së regjimit të lirë të kursit të këmbimit dhe përdorimin e normave të interesit si mjet kryesor për të garantuar stabilitetin e çmimeve. Megjithatë, autoritetet monetare duhet të vlerësojnë me kujdes ndikimet e mundshme negative nga ndërhyrjet e shpeshta dhe nga akumulimi i tepërt i rezervës valutore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button