Kosova

Faza përfundimtare e ligjit për Dhomat e Specializuara, drafti pritet të kryhet këtë javë

Vetëvendosje dhe PDK, janë pajtuar për nismën e re ligjore lidhur me Dhomat e Specializuara. Njohës të drejtësisë vlerësojnë se këto zhvillime lidhen ngushtë me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë.

Drafti i ligjit të ri për Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të përfundojë këtë javë, për t’u proceduar më pas për votim në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti tha se ekspertët, në duart e të cilëve tashmë ndodhet drafti, pritet ta përfundojnë së shpejti punën.

Për nismën e re ligjore që lidhet me Gjykatën Speciale tashmë janë pajtuar dy partitë më të mëdha në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në opozitë. Kjo marrëveshje erdhi pas disa javësh paqartësish rreth ligjit të parë, i cili u miratua në Kuvend më 6 tetor, por u kthye për rishqyrtim pas vetos së Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Nismat për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara erdhën pas dënimit për krime lufte të ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Një javë më parë, Hashim Thaçi u dënua edhe nga një panel tjetër i Gjykatës për pengim të administrimit të drejtësisë.

Unitet politik për nismën e re ligjore

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK, Vlora Çitaku, pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, tha se “ekziston një unitet politik dhe qytetar për nismën e re ligjore për Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës”.

“Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundërshtari ynë politik ditën kur e kemi proceduar ligjin dhe kur e kemi miratuar, ashtu siç është edhe sot. Megjithatë, pavarësisht hendekut të madh dhe dallimeve të thella politike që kemi në qeverisje, UÇK-ja mbetet një vlerë që na bashkon të gjithëve”, u shpreh Çitaku. Ajo shtoi se nisma e re ligjore nuk është vetëm e PDK-së, por tashmë mban edhe vulën e institucioneve të Kosovës.

Pas dënimit në shkallë të parë më 16 shtator nga Gjykata Speciale në Hagë të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, autoritetet shtetërore të Kosovës kanë formuar një grup punues për hartimin e një strategjie lidhur me procedurat e apelimit para Dhomave të Specializuara.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, grupi shtetëror punues vazhdon të besojë se “aktgjykimi i shkallës së parë i Gjykatës Speciale është i padrejtë, si juridikisht ashtu edhe moralisht”. Për këtë arsye “Qeveria po punon për të siguruar korrigjimin e këtij vendimi në shkallën e Apelit pranë Dhomave të Specializuara”.

Grupi punues kryesohet nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ndërsa pjesë e tij janë edhe përfaqësues të Kuvendit të Kosovës. Presidentja Justina Shiroka-Pula ka deklaruar mbështetjen e saj për këtë grup, me synimin për të bashkërenduar veprimet institucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës dhe rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Debati juridik mbi ndryshimet ligjore

Por si e vlerësojnë njohësit e drejtësisë përpjekjen e Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së ende nuk ka marrë formë të prerë?

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), i tha më herët DW-së se aktgjykimet ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së përbëjnë zhvillime me rëndësi të madhe juridike dhe politike.

“Gjykata Speciale është themeluar nga vetë Republika e Kosovës, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të legjislacionit përkatës, me pritjen legjitime që drejtësia të administrohej në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm. Megjithatë, mënyra se si është zhvilluar procesi gjyqësor ka krijuar përshtypjen se gjyqtarët, prokurorët dhe faktorë të caktuar ndërkombëtarë i kanë trajtuar jo vetëm të akuzuarit, por edhe vetë Kosovën me mosbesim, paragjykim dhe shpesh me një qasje nënçmuese”, tha Miftaraj.

Sipas tij, reagimet dhe kundërshtimet në Kosovë duhet të kuptohen edhe në kontekstin historik dhe emocional të luftës, si dhe të përvojës që qytetarët e Kosovës kanë kaluar gjatë dhe pas saj.

Ndryshimet e miratuara në fillim të tetorit për Dhomat e Specializuara nuk parashihnin mbylljen e Gjykatës, por, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të saj, ngushtimin e periudhës kohore dhe territorit për të cilin ajo mund të gjykojë, si dhe uljen e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet. Ndryshimet përfshinin gjithashtu mundësinë që dënimet të vuaheshin në Kosovë.

Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian vazhdojnë të shprehin shqetësim për nismat që synojnë ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, në një takim të mëhershëm të ministrave të Jashtëm të BE-së, e kritikoi ashpër vendimin e Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e ligjit, duke e cilësuar atë si “të papranueshëm dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare të sundimit të ligjit”. /DW

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button