Kosova

FEFS hap vitin akademik, sot përurohet edhe fusha e re e padelit

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit i Universitetit të Prishtinës sot do të hapë vitin e ri akademik 2026/2027, ndërsa në kuadër të ceremonisë do të përurohet edhe fusha e re e padelit.

Ceremonia do të mbahet në orën 11:00, në sallën e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, pasi për shkak të reshjeve të paralajmëruara është ndryshuar lokacioni nga fushat e jashtme, ku ishte planifikuar fillimisht të zhvillohej aktiviteti.

Në këtë ceremoni do të bëhet pritja solemne e studentëve të rinj, të cilët nisin rrugëtimin e tyre akademik në fushën e sportit, shkencës dhe edukimit fizik. Pjesë e aktivitetit do të jenë edhe studentët aktualë, alumnët dhe komuniteti sportiv.

Në të njëjtën kohë, FEFS do të përurojë fushën e re të padelit, një investim që synon të krijojë një hapësirë të re sportive për studentët, stafin dhe komunitetin sportiv.

Fakulteti ka bërë të ditur se, pavarësisht ndryshimit të lokacionit për shkak të motit, programi i ceremonisë mbetet i njëjtë.

“Moti ndryshon, festa jo!”, është mesazhi i FEFS-it, i cili ka ftuar studentët e rinj, studentët aktualë, alumnët dhe të gjithë sportdashësit që t’i bashkohen ceremonisë së sotme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button