Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president

Bekim Sejdiu ka bërnjoftuar se është tërhequr nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, pas mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përfshirjes së procesit në përplasje të brendshme politike.
Sejdiu në një postim në Facebook ka bërë të ditur se para dy javësh ishte kontaktuar nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët e kishin ftuar në një takim të përbashkët me delegacionet e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, në atë takim ishte njoftuar se, pas një procesi bisedimesh, këto dy parti kishin arritur pajtueshmëri që emri i tij të propozohej si kandidat jopartiak për president të Kosovës.
Ai ka thënë se këtë propozim e kishte konsideruar si besim të madh ndaj tij dhe si vlerësim për kontributin e tij në jetën institucionale të vendit.
“Duke qenë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë dhe për rrezikun që kriza institucionale të thellohet, kam pranuar të jem kandidat për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu.
Ai ka theksuar se nuk ka pasur ambicie për pozita publike përtej angazhimeve akademike dhe profesionale. Sipas tij, motivi i vetëm për pranimin e propozimit ka qenë që të vihej në shërbim të zhbllokimit të ngërçit institucional.
Sejdiu ka thënë se kishte besuar se partitë parlamentare dhe deputetët do të gjenin forcë për t’i tejkaluar ndasitë politike dhe për t’i dhënë vendit institucione stabile.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se rrethanat e krijuara nuk mundësuan vazhdimin e procesit.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si president dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka shtuar se për këtë vendim i ka njoftuar më herët përfaqësuesit e LDK-së dhe LVV-së.
Sejdiu ka falënderuar kolegët, miqtë, personalitetet publike, shoqërinë civile dhe mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e ofruar gjatë këtyre ditëve.
Ai ka thënë se mbështetja e marrë ia ka përforcuar bindjen se lojaliteti institucional dhe patriotizmi kushtetues kanë qenë udhërrëfyes në angazhimin e tij publik.
Në fund, Sejdiu ka bërë thirrje për maturi politike dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”, ka deklaruar ai.
Sejdiu ka shprehur shpresën se partitë politike do të gjejnë rrugëdalje nga kriza institucionale.
Më 31 gusht, emri i Bekim Sejdiut u prezantua për kandidat për president pas takimit të zhvilluar mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut. Megjithatë, pas kësaj 6 deputetë LDK-së u shprehenën kundër kanditaturës së Sejdiut për president.



