Kosova

SHSHKOS PËRCAKTON PRIORITETET PËR 2026–2027

 Nga konsolidimi institucional drejt veprimit, ndikimit dhe ndërkombëtarizimit Shoqata e Shkencëtarëve të Kosovës (SHSHKos) ka mbajtur të shtunën, më 29 gusht 2026, në Prishtinë, Punëtorinë Strategjike për planifikimin e aktiviteteve dhe përcaktimin e Planit të Veprimit për periudhën 2026–2027.

Në punëtori, diskutimet u fokusuan në gjashtë objektiva strategjike të cilat synojnë kalimin e SHSHKos nga faza e konsolidimit institucional drejt veprimit konkret, rritjes së ndikimit dhe ndërkombëtarizimit. Punëtoria shënoi fazë të re në zhvillimin e Shoqatës, pas përfundimit të procesit të konstituimit të Këshillave Shkencorë dhe krijimit të strukturave profesionale e multidisiplinare të saj. Në hapje të punimeve u prezantuan edhe disa nga rezultatet e arritura deri më tani, përfshirë aplikimin me një projekt në kuadër të një programi të Bashkimit Evropian, pajisjen e SHSHKos me kodin PIC – Participant Identification Code, regjistrimin në platformën e komunitetit të Horizon Europe – Cluster 2, si dhe aplikimin për akreditimin e një programi profesional në Ministrinë e Arsimit. Në fushën e botimeve shkencore u veçua zhvillimi i Sustainable Regional Development Scientific Journal – SRDS Journal, si dhe aplikimi për mbështetje financiare institucionale për avancimin e kapaciteteve të revistës dhe përgatitjen e saj drejt përmbushjes së standardeve për indeksim në baza ndërkombëtare, përfshirë Scopus. Gjashtë objektiva për fazën e re të SHSHKos Në qendër të punëtorisë ishte propozimi për Vizionin Strategjik të SHSHKos 2026–2027, nën orientimin: “Nga konsolidimi institucional drejt veprimit, ndikimit dhe ndërkombëtarizimit.

Vizioni u strukturua mbi gjashtë objektiva strategjike. Objektivi i parë – Aktivizimi i Këshillave Shkencorë. Këshillat synohet të shndërrohen në bartësit kryesorë të aktivitetit shkencor dhe profesional të Shoqatës. Nga secili Këshill pritet të burojnë iniciativa konkrete për hulumtime, analiza, konferenca, publikime, trajnime dhe projekte, duke fuqizuar njëkohësisht bashkëpunimin multidisiplinar ndërmjet tyre. Objektivi i dytë – Kërkimi shkencor dhe publikimet. SHSHKos synon të rrisë prodhimin e analizave, studimeve dhe publikimeve shkencore, si dhe të fuqizojë infrastrukturën e vet botuese. Një komponent i rëndësishëm në këtë drejtim mbetet zhvillimi dhe ndërkombëtarizimi i SRDS Journal dhe krijimi i mundësive më të mëdha për publikimin dhe promovimin e punës së studiuesve. Objektivi i tretë – Konferencat, forumet dhe trajnimet.

Në periudhën 2026–2027 parashihet intensifikimi i aktiviteteve shkencore dhe profesionale përmes konferencave, tryezave, seminareve dhe programeve të trajnimit. Gjatë diskutimeve u propozuan konkretisht aktivitete në fushën e Inteligjencës Artificiale, fizikës dhe mësimdhënies eksperimentale, legjislacionit dhe fushave të tjera profesionale. Objektivi i katërt – Projektet kombëtare dhe evropiane. Një nga prioritetet kryesore do të jetë rritja e kapaciteteve të SHSHKos për pjesëmarrje në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, me vëmendje të veçantë ndaj programeve të Bashkimit Evropian dhe Horizon Europe. Në punëtori u vlerësua se ndërtimi i konsorciumeve serioze kërkon përgatitje të hershme, prandaj identifikimi i thirrjeve dhe partnerëve për projektet e vitit 2027 duhet të fillojë shumë përpara afateve të aplikimit. Në kuadër të këtij objektivi u diskutua edhe për zhvillimin e temave që lidhen me ekonominë qarkore, ndryshimet klimatike, mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si fusha me potencial për bashkëpunim ndërdisiplinor dhe projektues. Objektivi i pestë – Partneritetet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. SHSHKos synon që kontaktet e krijuara me institucione shkencore dhe akademike t’i shndërrojë gradualisht në partneritete konkrete. Vetëm gjatë javës së fundit janë zhvilluar kontakte dhe takime me përfaqësues të University of Catania, Norwegian University of Science and Technology – NTNU, Zyrën e NTNU-së në Bruksel dhe Smart Shelter Foundation, me fokus bashkëpunimin shkencor, projektet evropiane, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mundësitë për aktivitete të përbashkëta. Në punëtori u propozua gjithashtu intensifikimi i komunikimit të SHSHKos me ministritë, institutet dhe institucionet e tjera relevante në Kosovë.

Objektivi i gjashtë – Shkenca në shërbim të politikave publike dhe shoqërisë. Ky objektiv synon që ekspertiza e anëtarëve të SHSHKos të jetë më e pranishme në trajtimin e çështjeve me interes publik dhe në proceset e politikëbërjes. Gjatë diskutimeve u propozuan iniciativa për hartimin e rekomandimeve lidhur me fëmijët me nevoja të veçanta dhe përfshirjen e psikologëve në shkolla, trajtimin e çështjeve sociale dhe pensionale të kujdestarëve, analiza mbi zhvillimet juridike, çështje që ndërlidhin ekonominë dhe mjedisin, si dhe rritjen e pranisë së ekspertëve të Shoqatës në debatin publik dhe në media. Krasniqi: Vlera e një shoqate shkencore matet me atë që prodhon Kyetari i Shoqatës së Shkencëtarëve të Kosovës, Prof. Dr. Agim A. Krasniqi, gjatë hapjes së punëtorisë theksoi se faza e ndërtimit të strukturave duhet të pasohet nga një periudhë e rezultateve konkrete. “Kjo shoqatë shkencore, nuk duhet të matet vetëm me numrin e anëtarëve apo me strukturat që ka krijuar. Vlera e saj maten me atë që prodhon: me hulumtimet, publikimet, projektet, konferencat, ekspertizën dhe ndikimin që krijon në shoqëri.” Sipas tij, Këshillat Shkencorë duhet të marrin rol gjithnjë e më aktiv në zhvillimin e Shoqatës. “SHSHKos nuk duhet të ndërtohet rreth një individi apo një grupi të vogël njerëzish.

Ajo duhet të ndërtohet mbi Këshillat Shkencorë dhe kontributin e anëtarëve të saj. Nga organizimi duhet të kalojmë te veprimi, nga kontaktet te partneritetet, nga idetë te projektet dhe nga aktivitetet individuale te rezultatet institucionale.” Rekomandimet u miratuan nga pjesëmarrësit Një pjesë e rëndësishme e punëtorisë iu kushtua diskutimit të hapur, ku anëtarët propozuan iniciativa konkrete që do të përfshihen në aktivitetet e ardhshme të Shoqatës. Ndër to ishin fuqizimi i qasjes në projekte dhe fonde rajonale, zhvillimi i trajnimeve në Inteligjencë Artificiale dhe në fushën e fizikës, organizimi i një tryeze për legjislacionin, zhvillimi i publikimeve shkencore, ekonomia qarkore dhe ndryshimet klimatike, hartimi i rekomandimeve për çështje arsimore dhe sociale, si dhe rritja e pranisë së SHSHKos në opinionin publik. U propozua gjithashtu që Shoqata të krijojë mekanizma për reagim profesional ndaj çështjeve aktuale me interes publik, duke aktivizuar ekspertizën e Këshillave Shkencorë sipas fushave përkatëse.

Në përfundim të punëtorisë, rekomandimet dhe orientimet e dala nga diskutimet u hodhën në votim dhe u miratuan me ngritje dore nga anëtarët e pranishëm. Hapi i ardhshëm do të jetë integrimi i këtyre rekomandimeve në Planin e Veprimit të SHSHKos për periudhën 2026–2027, me përcaktimin e aktiviteteve konkrete, përgjegjësve, afateve dhe rezultateve të pritshme. Me këtë qasje, Shoqata synon që periudhën e ardhshme ta karakterizojë jo vetëm zgjerimi institucional, por mbi të gjitha prodhimi shkencor, projektet, partneritetet, ndërkombëtarizimi dhe përdorimi i ekspertizës shkencore në funksion të zhvillimit të shoqërisë dhe politikave publike në Kosovë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button