Kosova
Senatorja amerikane Joni Ernst nderohet me Medaljen Presidenciale të Meritave

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka takuar të martën senatoren republikane, Joni Ernst, të cilën e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave.
“Në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e saj ndër vite, e dekorova senatoren Ernst me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e çmuar në fuqizimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe në mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e saj në Facebook.
Haxhiu ka njoftuar se ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike, për çështjet e sigurisë dhe për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.
“Kosova do të vazhdojë ta ndërtojë të ardhmen e saj krah SHBA-së, duke forcuar një partneritet që për vendin tonë ka rëndësi të veçantë strategjike dhe historike”.



