Agim Krasniqi publikon monografinë “Drejtësia Penale Ndërkombëtare”, me fokus Hagën dhe rastin e Kosovës

Juristi dhe studiuesi Agim Krasniqi ka njoftuar se ka marrë në dorë kopjen e parë të monografisë së tij më të re me titull “Drejtësia Penale Ndërkombëtare ndërmjet ligjit dhe pushtetit politik – Haga dhe rasti i Kosovës”.
Sipas autorit, libri është rezultat i një pune shumëvjeçare kërkimore dhe analitike, ku trajtohen marrëdhëniet ndërmjet historisë, politikës dhe së drejtës penale ndërkombëtare, me theks të veçantë në zhvillimet që lidhen me Kosovën dhe Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në monografi analizohen ngjarje historike që nga Traktati i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër, si dhe zhvillimet juridike që pasuan luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krijimin e Dhomave të Specializuara.
Krasniqi thekson se libri shqyrton edhe standardet themelore të së drejtës penale ndërkombëtare, si prezumimi i pafajësisë, barra e provës dhe standardi “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, duke vlerësuar se respektimi i këtyre parimeve do të jetë vendimtar për legjitimitetin e vendimit që pritet të shpallet në muajin shtator.
Autori fton juristët, studiuesit, studentët dhe publikun ta lexojnë veprën dhe ta vlerësojnë mbi bazën e argumenteve, fakteve dhe standardeve juridike, duke theksuar se debati shkencor dhe respektimi i së drejtës janë thelbësore në kërkimin e së vërtetës.
Monografia është botuar nga shtëpia botuese Lena Grafik, ndërsa redaktor shkencor është Prof. Dr. Mazllum Baraliu. Recensentë të veprës janë Prof. Dr. Ismet Salihu dhe Prof. Dr. Mazllum Baraliu.



