Ilir Vrenozi: LaCivita mund të sjellë surprizën e madhe në fund të fushatës – një ftesë për Berishën në Shtëpinë e Bardhë?

- Në një intervistë për CNA, analisti Ilir Vrenozi ka shprehur një dozë shprese për fundin e fushatës elektorale të opozitës, duke vënë theksin te figura e LaCivita, këshilltari amerikan i përfshirë në fushatën e opozitës shqiptare.
Sipas Vrenozit, përfshirja e një personazhi me përvojë në fushatat amerikane, siç është LaCivita që ka qenë pjesë e stafit të Donald Trump, sjell me vete një mentalitet fitues dhe vendosmëri për sukses.
“Kur ata hyjnë në një punë, e hyjnë për të fituar,” theksoi Vrenozi, duke lënë të kuptohet se në javën e fundit të garës mund të ndodhë një zhvillim i papritur. Ai madje përmendi mundësinë që ish-kryeministri Sali Berisha të marrë një ftesë për në Shtëpinë e Bardhë, gjë që do të kishte një impakt të madh në elektorat.
“E imagjinon dot çfarë impakti do të kishte një ftesë e tillë? Ky mund të jetë asi nën mëngë që ka sjellë LaCivita… ose Latifi, siç i thotë Edi Rama,” tha Vrenozi me ironi.
Megjithëse me një dozë skepticizmi, Vrenozi nuk e përjashtoi mundësinë që kjo figurë amerikane të jetë surpriza e madhe që opozita ka ruajtur për fundin e garës.